Duhet të ketë ikur natën, atë ditë igumeni i kishës së Shën Nikollës në Perondi. Në nxitim e sipër, bashkë me ndonjë thes të kohës, ka marrë gjërat më të vlefshme, që ka mundur. Në një inventar, që i rezistoi kohës, i ngrati igumen, rrëmben dhe regjistron. Merr libra, pergamenë, përparëse, felon prej mëndafshi, një kryq të stolisur së bashku me këllëfin, një petrahil atlasi të gjelbër, një përparëse të kuqe me kryqin. Në fund kujtohet dhe për dilotherin e mëndafshtë, që e dha Balsha. Ka dhe një përparëse atlasi të verdhë, që është e gdhendur me zogj. Në fund mallkon, atë që do t’i prishë këto gjëra. I lutet Shën Nikollës, shenjtit të Perondisë. Shikon Qiellin. ... Nga qielli, zogjtë e pakët dimërakë, që janë mbi fushën e paanë, s’mund të tregojnë shumë për Perondinë. Mbase, paraardhësit e tyre, po. Për njerëzit, igumeni i kronikave, ka mbetur dëshmitari më i hershëm i ekzistencës së këtij vendi, që nga shekulli XIV. Atëbotë, ky vend quhej Pendarhondia (pe...