Ne Perondi ne token e Muzakajve
Duhet të ketë ikur natën, atë ditë igumeni i kishës së Shën Nikollës në Perondi. Në nxitim e sipër, bashkë me ndonjë thes të kohës, ka marrë gjërat më të vlefshme, që ka mundur. Në një inventar, që i rezistoi kohës, i ngrati igumen, rrëmben dhe regjistron. Merr libra, pergamenë, përparëse, felon prej mëndafshi, një kryq të stolisur së bashku me këllëfin, një petrahil atlasi të gjelbër, një përparëse të kuqe me kryqin. Në fund kujtohet dhe për dilotherin e mëndafshtë, që e dha Balsha. Ka dhe një përparëse atlasi të verdhë, që është e gdhendur me zogj. Në fund mallkon, atë që do t’i prishë këto gjëra. I lutet Shën Nikollës, shenjtit të Perondisë. Shikon Qiellin.
...
Nga qielli, zogjtë e pakët dimërakë, që janë mbi fushën e paanë, s’mund të tregojnë shumë për Perondinë. Mbase, paraardhësit e tyre, po. Për njerëzit, igumeni i kronikave, ka mbetur dëshmitari më i hershëm i ekzistencës së këtij vendi, që nga shekulli XIV. Atëbotë, ky vend quhej Pendarhondia (pesëprijësat). I sotmi, me një emër shumë të zbutur femëror, është dymbëdhjetë kilometra larg nga qyteti i Beratit dhe në qendër-vetëm pak metra tutje komunës, ku është Kisha e Shën Nikollës. Nuk do ta besosh këtë emër, por po t’i afrohesh do të shikosh, një fshat-komunë, që i eklipson të gjithë fshatrat që ka përreth. Nga emri, hija...por edhe pastërtia. Një rrugë e pastër dhe e asfaltuar, që i shkëputet rrugës kryesore dhe tutje shtëpive të shumta. Shumë syresh të reja. Dikur, Perondia jepte e merrte me 15 fshatra, shumicën e të cilëve edhe sot i ka nën autoritetin administrativ. Shtatë prej tyre përbëjnë atë që ka mbetur nga Perondia e dikurshme: Tapia, Magjata, Goranja, Lagorsi, Rreth Tapia, Polovina...Deri më aty, pasi ke lënë Urën Vajgurore, devijon nga rruga qendrore duke kapur Kuçovën dhe më pastaj edhe Tapi-Perondinë. Është shumë afër aeroporti ushtarak, ish-krenaria e flotës ajrore ushtarake kombëtare, që tashmë i mban zogjtë e hekurt krejt sqep-varur. Fshatarët u kanë afruar shtëpitë. Dikur në këtë vend merreshin rekorde në rendimentet e drithërave. Kurse kooperativa e zonës e lartësonte sistematikisht emrin e saj me të Enver Hoxhës. Sot, heshtje. Zhurma e makinave bujqësore... asgjëkundi. S’ka punë. Por ka shumë hapësirë. Fushë e paanë.
Kisha
Kaq shumë hapësirë ka edhe në qendër të komunës së Perondisë. Një mini-lulishte, të dërgon pastër drejt godinës së komunës, kurse djem të rinj zbresin nga disa shkallë të mëdha. Një mesoburrë ngacmon nga tutje një tjetër, në derën e një klubi. Ai s’ia kthen. Kisha e madhe, tutje, është e rrethuar me papastërti dhe me pak kafshë shtëpiake, që i bëjnë qetësi Shën Nikollës. Në fakt, kisha që i kushtohet atij, është dhe nderi më i madh këtij vendi. Kuptohet, nëse do të zhvillohet ndonjëherë turizmi kulturor. Në komunë na adresojnë menjëherë tek Luani. Duhet të jetë afër, sepse na vjen sakaq. Një grua shumë e sjellshme na përcjell deri aty. Do e takojmë sërish, sepse ikën thjesht pa ndarjet e stërgjata. Këta njerëz nuk e njohin poteren, që zakonisht të rrëfejnë me gaz shqiptarët. Por, Luan Serjani, 56 vjeçar e tejkalon mirëbesimin. Na lë çelësat e kishës në dorë dhe na uron mirëseardhjen në qetësinë e narteksit të kishës. “Do iki pak. Vetëm tërhiqe derën kur të dalësh”, thotë në fund. Poli, s’ambjentohet ende me çuditë e shqiptarëve. Jemi njohur thjesht para 12 minutash dhe fshatari na jep të gjithë miqësinë e mundur. Ka pak histori për një nga kishat më të vjetra të Shqipërisë. Ka një pllakë, që e identifikon dhe, të dhënat. Më parë kemi lexuar vetë për elementë teknikë, që i shikoj të përsëritura edhe këtu qartësisht. Është një bazilikë tipike karakteristike, trinefëshe. Shquhet narteksi, kurse në literaturën teknike thuhet se në fazën e parë ka qenë thjesht naosi dhe vendi i altarit. Pastaj u shtuan narteksi dhe nefet, kurse muri që ndante narteksin me naosin, u realizua aty nga viti 1931. Në kishë futesh nga këmbanarja në perëndim dhe sakaq gjendesh në një kishë, ku nefet anësore ndahen me nefin kryesor me arkada. Një zezonë brenda dhe, afresket e munguara e tejet të dëmtuara, është ajo të bie në sy. Sipër naosit ka gjashtë dritare, që ndodhen në pjesën e sipërme të murit verior dhe jugor. Nga atje varet një qiell i plumbtë. Altari është punuar më 1786 dhe ka tre pjesët e tij: beman, protezeisin dhe diakonikonin. Është një ndërtesë tipike bizantine, sepse janë të ndërthurur bukur gurët me tullat, kurse këmbanarja ka katër pjesë, që tregojnë duart e ndryshme që kanë punuar në të. Në këtë mjedis bizantin sorollatemi me Polin, ndërsa sakaq është rikthyer dhe Luani, që mundohet të na bëjë ciceronin. E mban për sevap, sipas fjalëve të tij, që i aprovon dhe një i dytë që futet qetësisht. Nga Instituti i Monumenteve ia kanë ulur kuotën modeste. S’ikën prej faktit se e ka ruajtur për shumë vjet. E ka ruajtur gjyshi, i ati dhe ai më në fund. Gjendja nuk do shumë të kuptohet. Në kohën e Enverit, e kanë përshtatur për magazinë, por ai tash, e ruan thjesht prej kujtimit të prindërve. “Nuk kam mundësi ta mbaj më. Me atë pagë simbolike që marr. Prapëseprapë e pastroj dhe kaq”. A meshohet- e pyesim? Këtu nuk meshohet, por vetëm kur vjen vjeshta dhe kur është festa e Shën Nikollës, diçka bëhet. Në fakt, fshati ka vetëm 25 për qind të besimit ortodoks, sepse pjesa tjetër është myslimane. Pak më larg ka qenë xhamia...Po burrit kjo nuk i intereson shumë. “Është prerë ndihma”- na thotë dhe asnjë ndihmë nuk ka. Vetë Luani është një bujk i thjeshtë, por që pak të duket nga rrobat shumë qytetare që mban. Me gjithë prindërit i ka rënë 9 dynym tokë, që i bie një dynym e gjysmë për 6 frymët e familjes së tij. E gjen të flasë në mënyrë të përzierë. Pak për gjendjen, por më shumë për kishën: “Pasi hyri demokracia këtu u prish. Dikur, të gjithë banorët e Kuçovës që nga Ura e përtej vinin këtu. U prish u bë manastir. Monizmi e bëri magazinë drithi. U bë..keq..Hyri demokracia u bë kishë të paktën, por nuk vihet në vend në fakt se ka qenë shumë e bukur. Të paktën funksionon...”. E gjithë Kuçova vinte këtu, por shumë vinin që nga larg. Të vjen gjynah që është lënë, përsërit fshatari, por e di mirë që ia fut kot. Fshati mban si fiset më të vjetra Magjatët, Shurdhanjakët, Serjanët, Shegani, Spatallarët, Krasi, Asllani, Hyka...por tashmë janë shtuar dhe shumë e shumë të rinj...Hija e dikurshme është tretur. Burrë i ri duket dhe nënkryetari i komunës, sot ka zëvendësuar kryetarin. “Gjendja aktuale e kishës lë shumë për të dëshiruar edhe pse ne, si komunë, kemi ofruar ndihmën dhe bashkëpunimin me institutin, gjë e cila nuk na rezulton nga ana te tyre. Ndihma jonë konsiston në rrethimin, mirëmbajtjen, në ndriçimin e kishës, për atë që na takon ne. Për mjediset e brendshme është instituti që duhet të kujdeset “. Në fakt, zyrtari i ri përmend edhe Urën e Hanit, që është në qendër të komunës Perondi. Pak minuta më vonë me Polin rrotullohemi nga gjithë anët, që ta bëjmë pak të madhe si imazh, por më kot. Ajo është afër, por tashmë e zhytur nga kohët thellë në tokë. Vetëm se bashkë me kishën dhe një gjethe ulliri, përbëjnë dhe stemën heraldike të këtij vendi. Ura e Hanit tashmë është mbathur aq shumë me dhé, saqë kurrizi i harkadës kryesore humbet, poshtë një makine. Megjithëse, fshatarët mëtojnë se do ta zbulojnë urën dhe do ta përshtasin. Është pak si hipotetike, po të mendosh përpjekjet e shqiptarëve. Gjithsesi, bëjmë sikur i besojmë. Ura e Hanit duhej për banorët, kur dikur kalonte lumi këtu. Një urë që dikur ka qenë 6 metra e lartë, tashmë ka mbetur as edhe një metër nga toka. “Është jashtë funksionit”, më thotë dikush, që kalon. Sigurisht, ia kthejmë. Për çfarë do të duhej.
Perondia
Në këtë vend, njësoj jashtë përdorimit është dhe bujqësia e dikurshme. Bëjnë pak përjashtim blloqet frutorë, që veçanërisht shikohen në fushat e Tapisë. Kam lexuar diku se rrugët e qerreve janë zgjeruar dhe asfaltuar me fondet e pushtetit komunar, por edhe të vetë fermerëve të këtyre fshatrave, që merren edhe me biznes. Burri, që bërtiste pak kohë më parë na rrëfen se ka qenë elektriçist dhe tregon se rruga e fshatit është më e mirë, krahasuar me rrugën që të përcjell në rrugën kryesore. Vetëm se këtu duhet të ketë kujdes nga ndërtimet pa leje dhe se banorët i janë afruar aq shumë rrugës kryesore. Perondia vetë, të tregon se banorët gjithsesi nuk kanë hequr dorë nga mirëqenia e tyre. Më shumë, koncepti i tyre për jetën. Luani, që tash do të ikë shpejt na tregon se ata e gjejnë sërish me çfarë të merren. Ankohet gjithsesi, por banorë të tjerë kanë ndryshuar teksa shikon ndërtime të reja. Kurse fushat, si në gjithë Shqipërinë, janë të ndara parcela-parcela. Kjo e bën gati të pamundur një prodhim intensiv, si dikur kur kooperativa shquhej pafund. Janë shumë larg këtij mentaliteti sepse e lidhin me kujtimin e Enverit. Gjithsesi Perondia ka vlerë, sepse kurrë nuk i ka rënë shkëlqimi i saj. Kishte 130 shtëpi në shekullin e 17-të, ndërsa sot i është afruar si e barabartë qytetit të Kuçovës. Nuk është e vështirë të kuptosh në këtë zdërhallje të të rinjve burimin e jetesës dhe shtëpitë. Si kudo janë falë emigracionit, që është burimi kryesor i vendit. Një pakicë thuhet se po synon dhe i është rikthyer vendlindjes. Këtë na e thotë burri, që tash nuk bërtet më. Elektricisti mban në dorë faturat e njerëzve. Varfëri e madhe- përsërit,- Varfëri. Ai vetë rri buzë një pijetore dhe rifutet sërish e sërish.
Komunari për fshatin e tij
Kuptohet se për burimet e komunës, ky vend është shumë i mirë. Nënkryetari një burrë i qetë na tregon se: Ashtu si dikur, kryesore për banorët mbetet bujqësia, blegtoria dhe më pak pemëtaria. Ulliri është një nga drutë frutore më të përhapur në këtë vend. Besojmë se është një vend krejtësisht frutor dhe kultivohen vreshtat në pamje të parë. Toka është ndarë sipas 7501 dhe ajo i takon 15.000 banorë. Në fakt, me regjistër janë 11.200 banorë,-insiston zyrtari- sepse një pjesë janë të bashkuar ndoshta me Kuçovën. Nga ana gjeografike, Otllaku e kufizon në lindje dhe në jug, në perëndim është komuna e Poshnjes, në veri e komuna e Kozarës. “Ajo e rrethon nga gjithë anët Kuçovën dhe sot në të lulëzon një fabrikë e përpunimit të vajit, sepse ulliri është më i përhapur. Ka përpunim qumështi. Ka një ndërmarrje grumbullimi. Kemi tregun e Beratit dhe tregun e Lushnjës që bëhen në zonën tonë. Por në fshat ka probleme me vaditjen edhe pse një projekt i Bankës Botërore e ka sistemuar Perondinë dhe Tapinë dhe Gorenjë. Atje ndodhet dhe një rezervuar për Magjat”. Vetëm se edhe pas kësaj një gjë mbetet e pandryshuar. Të 3200 familjet janë të bindura se emigracioni është një nga burimet e pakundërshtueshem tëjetës. Atje shkojnë ata që sapo i mbushin të 20-ta, por edhe ata që janë deri 48 vjeç. “Pjesa më e madhe e të rinjve dhe të këputurit janë në emigracion. Ai është një burim financiar i mirë dhe zyrtari rrëfen se banorët e Perondisë janë deri në Finlandë”. Njësoj i shikoj edhe të 2700 nxënësit, që të ardhmen më të mirë e kanë të lidhur me të. Në një vend nxënësit studiojnë me dy turne. Burri vazhdon të më rrëfejë se: Në gjithë fshatrat ka infermierë dhe doktor, përveç Velagoshtit. Por, gjithsesi, lindja nuk bëhet. Vetëm se komuna me paratë e taksave, që mbledh nga toka dhe bizneset, ka arritur që të grumbullojë 90 %, krahasuar me kohën më parë. Kjo i ka dhënë sensin se gjërat do ndryshojnë. Dhe për këtë bindesh, kur shikon se Perondia ka bujarinë dhe pastërtinë, por edhe shumë punëtorë. Nuk kanë sjellë ujin, që si në çdo pjesë të vendit vjen në tri kohët bazike të ditës dhe kaq. Nënkryetari duket se e ka bërë punën. Këtu mbaron krejt detyrën e tij me informacionin. Është shumë i sjellshëm dhe i përpiktë. Mbaron këtu.
...
Kjo është me pak fjalë kronika e Perondisë. Murgu atë ditë nëntori të shekullit të XIV, i la një kujtesë, që i mbeti në shekuj: Librat, shkollat, kisha. Fshatarët nuk e ruajtën dot kishën nga komunistët, ndërsa demokratët as nuk mundën ta ringjallnin dot. Sa për librat: Ok. Fëmijët lexojnë shumë ndër troje të tën zoti Muzakaj. Këtë kronika nuk e thotë, por duhet të ketë ikur natën, igumeni i ngratë, që e dokumentoi në thellësitë e shekujve Perondinë. Largohemi në muzgun, që vjen shpejt, bashkë me natën. Luani na kërkon që të themi shumë gjëra për kishën. Këtu, ku ishim në Perondi. Dimër.
Pershtatur per Perondi Albania adm E.SH
Commenti
Posta un commento