Kultura, letërsia e shkruar dhe arsimi në tokat shqiptare
Rol të rëndësishëm në veprimtarinë kulturore dhe arsimore në mesjetë luajti kisha e krishterë. Roli i saj si udhëheqëse shpirtërore shpjegohet nga fakti se krahas burimeve ekonomike, kisha pati në dorë monopolin e kulturës dhe përgatitjen e inteligjencies së kohës. Shumica e njerëzve të kulturës, veçanërisht në shekujt e mesjetës së herët, ishin thuajse pa përjashtim klerikë, qoftë si prodhues, qoftë edhe si porositës të prodhimit artistik e kulturor. Në duart e klerikëve ishin filozofia e letërsia, arsimi dhe artet. Si qendra të propagandimit të doktrinës fetare, të arsimit dhe të veprimtarisë kulturore-artistike shërbyen manastiret ortodokse e katolike, krahas të cilave vepronin aktivisht edhe “kurjet” peshkopale. Me ashpërsimin e marrëdhënieve shoqërore e politike në mesjetë, kur u forcua më tepër lufta e kishës për të ruajtur ndikimin e vet, krahas urdhrave murgëtarë të benediktinëve e dominikanëve që kishin pasur në dorë arsimin, qysh nga shek. XIII dhe në Shqipëri filluan të përhapeshin urdhrat murgëtarë të “lypësve”, minoritët françeskanë. Me predikimet e tyre për nevojën e “reformave” të kishës në frymën e “varfërisë”, këta mundën të ndikonin më lehtë mbi shtresat popullore.

Duke filluar nga shek. XIII pranë klerikëve në veprimtarinë kulturore të zhvilluar në tokat shqiptare shfaqen edhe përfaqësues të aristokracisë vendase, më shpesh si ktitorë (themelues) ndërtimesh monumentale kishtare. Fuqizimi ekonomik e politik i jepte asaj mundësinë të pajtonte artistë e mjeshtër dhe të ndërmerrte ndërtime të kushtueshme.

Në sajë të pozitës mbizotëruese të kishës, në kushtet e sundimit bizantin dhe të atij të feudalëve perëndimorë në tokat shqiptare, gjuhët greke e latine mbajtën për një kohë shumë të gjatë pozitën si gjuhë kulturore mbisunduese.

Gjatë mesjetës u shtua në mënyrë të ndjeshme numri i veprave të shkruara që qarkullonin në duart e njerëzve të mësuar. Përmbajtja e shumicës së tyre ka karakter krejt kishëtar. Ato janë tekste ungjillore, vepra liturgjike, aty-këtu ndonjë traktat teologjik. Një pjesë e tyre ka mundur të ruhet në Berat.

Nga shekujt e mesjetës vjen koleksioni i kodikëve që përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar. Ky koleksion përmban mbi 100 vëllime, që përbëjnë vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente. Jashtë këtij fondi numërohen edhe disa dhjetëra kodikë të tjerë, që i takojnë manastirit të Shën Gjon Vladimirit, mitropolisë së Drinopolit e arkipeshkvisë së Shkodrës. Kodikët ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar.

Kodikët e Shqipërisë, nga të cilët më i vjetri është “Kodiku i Purpurt i Beratit”, janë një fond me rëndësi për historinë e zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike, liturgjike. Këta kronologjikisht ndjekin njëri-tjetrin gjatë 13 shekujve me radhë (prej shek. VI - deri në shek. XVIII). Pjesa më e madhe e teksteve të tyre janë greqisht, por, duke ardhur më pranë kohërave të reja, shtohet prania e shqipes.

“Kodiku i Purpurt i Beratit” është një dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet e letërsisë biblike dhe renditet në themelet e letërsisë kishtare të ritit lindor. Sipas teknikës së shkrimit, është një dorëshkrim jo më i vonshëm se shek. VI pas erës sonë. Ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut. ثshtë shkruar me shkronja të derdhura prej argjendi. Lënda e dorëshkrimit është pergamenë. Sfondi mbi të cilin janë derdhur këto shkronja është e kuqe e thellë (e purpurt), prej nga ka marrë edhe emrin. Disa pjesë të rëndësishme të tekstit të kodikut janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit është metalik, me zbukurime biblike, disa shekuj më i vonshëm se vetë vepra (jo më i hershëm se shek. XVIII).

Për herë të parë për "Codex Purpureus Beratinus" bëhet fjalë në "Diptikun e kishës së Shën Gjergjit", që gjendej në kështjellën e Beratit. Në një shënim të cituar nga ky dorëshkrim flitet për rrezikun që i vinte rrotull këtij kodiku në vitin 1356, kur ushtritë serbe të Stefan Uroshit rrethuan qytetin e Beratit, tashmë të boshatisur nga popullata, për shkak të pamundësisë për t'u mbrojtur, dhe ia kishin vënë syrin bibliotekës së manastirit të Theollogut dhe të kishës së Shën Gjergjit, thesarit më të madh të qytetit. Deri në prag të Luftës së Dytë Botërore (kur u fsheh nga atdhetarët beratas për të mos rënë në duart e pushtuesve) “Kodiku i Purpurt i Beratit” ishte jo vetëm një libër (dorëshkrim) për bibliotekën, por edhe tekst liturgjie. Një herë në vit mesha mbahej sipas ungjijve të këtij teksti.

"Kodiku i Purpurt i Beratit" vlerësohet gjithashtu për historinë e shkrimit, për vlerat kaligrafike, si përmendore e trashëgimisë së përbotshme të dijes, si objekt shkencor i paleografisë, bibliologjisë, gjuhësisë, historisë së besimeve.

Duke u nisur prej faktit se në arkivat shqiptarë ruhen mbi 100 dorëshkrime të tipit kodik, në të cilat janë kopjuar gjatë 12 shekujve me radhë shkrimet e shenjta, "Testamenti i Vjetër", ungjijtë dhe tekste të tjera të shërbesës ekleziastike, mendohet se ato mund të jenë shkruar nga murgj vendës. Veç faktit se këto dorëshkrime krijojnë një traditë të letërsisë kishtare, vijnë në ndihmë të këtij përfundimi edhe të dhëna të tjera. Kryelutja mijëvjeçare e krishtërimit perëndimor Ty zot të lavdërojmë - Te Deum Laudamus, e cila u kompozua nga Shën Niketa i Dardanisë (ose Shën Niketa i Remesianës), u përhap në disa variante në Evropën Perëndimore pas vitit 525

"Beratinus-1" dhe kodikët e tjerë të Shqipërisë janë vepra me rëndësi për historinë e kulturës e të shkrimit të shenjtë, por dhe të letërsisë në përgjithësi. "Kodiku i Purpurt i Beratit" është i regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin "Memoire du Monde" (Kujtesa e Botës) dhe prej disa vitesh gëzon kujdesin e drejtpërdrejtë të UNESCO-s.

Kodiku i dytë (sipas kronologjisë), i quajtur "Beratinus-2" ose "Kodiku i Anthimit" (Codex Aureus Anthimi) - për shkak të shkronjës prej ari që është përdorur, i takon shek. IX. Ai përmban katër ungjijtë (sipas Gjonit, Lukës, Markut dhe Mateut). Figurat e ungjillorëve kanë korniza dekorative, që janë ndërtuar me motive floreale dhe gjeometrike (rrathë dhe lule).

Në fondin e pasur të kodikëve të Shqipërisë, përveç "Beratinus-1" e "Beratinus-2", bëjnë pjesë edhe dhjetëra dorëshkrime të tjera, që kanë marrë emrat e qyteteve ku janë zbuluar “Kodiku i Vlorës”, afërsisht shek. X; “Kodiku i Përmetit”, i shek. XIV; “Kodiku i Shkodrës”, i të njëjtit shekull. Në kodikët që i takojnë periudhës prej shek. XII e këndej ka dhe të dhëna etnografike, rregulla të ndërtimit të jetës së përbashkët, të dhënies të së drejtës, të trashëgimit të pasurisë nëpërmjet fejesës ose prej ndarjes, të ndryshimit të së drejtës në rastin e konvertimit të fesë.

Duke filluar nga shek. XII shënohet një rritje e zgjerim në përdorimin e shkrimit dhe në zhvillimin e letërsisë e të arsimit në tokat shqiptare, duke çuar më përpara traditat në këtë fushë. Huazimet me prejardhje latine si: “shkruaj”, “këndoj” etj., me evolucionin e tyre fonetik e kuptimor dëshmojnë se populli shqiptar njihte shkrim e këndim pa ndërprerje qysh prej një kohë të lashtë.

Zhvillimi ekonomiko-shoqëror e politik që karakterizon shek. XII-XIV krijoi kushte për përdorimin më të gjerë të shkrimit. Konsolidimi i formacioneve shtetërore vendase shtruan nevojën e redaktimit të akteve me karakter juridik e politik. Kësaj nevoje i shërbenin tani jo më rastësisht njerëz të ditur si klerikë e murgj të manastireve, por profesionistë të specializuar. Këta formonin kancelaritë pranë oborreve feudale dhe në qytetet kryesore të vendit. Rrethi i njerëzve të kulturës u shtua edhe me banorë të komunave qytetare. Në shek. XIV e në fillim të shek. XV numri i intelektualëve klerikë shqiptarë me origjinë qytetare ishte mjaft i madh; ata gjenden të përhapur edhe jashtë Shqipërisë, në shumë qytete dalmatine ku kryenin funksione kancelarësh, mësuesish, famulltarësh etj.

Nuk munguan edhe vepra të shkëputura deri-diku nga përmbajtja kishtare. Të tilla janë, p.sh., kronika e peshkopit Mihail nga Devolli (shek. XI-XII), e cila trajton ngjarje të luftës së bizantinëve kundër mbretërisë bullgare në Maqedoni e pjesërisht në tokat shqiptare, letërkëmbimi i peshkopit Teofilakt të Ohrit, me disa të dhëna interesante mbi jetën e banorëve të peshkopatës së tij në fillim të shek. XII, disa jetëshkrime shenjtorësh që zhvilluan veprimtarinë e tyre edhe në tokat shqiptare, si ato të Klementit e Naumit hartuar në shek. XIII etj. Ndryshe nga këto vepra të shkruara greqisht, është shkruar latinisht kronika e një prifti nga Dioklea, e cila përshkruan ngjarjet që u zhvilluan në Shqipërinë e Epërme në kapërcim të shek. X-XI. Në territor të banuar prej shqiptarësh në Epir, janë hartuar në fund të shek. XIV e në fillim të shek. XV dy kronika greke që japin të dhëna me interes për historinë e Principatës shqiptare të Artës. Shënime historike për shek. XIV gjenden edhe në disa nga dorëshkrimet e Beratit.

Megjithëse nuk shkëputen nga fryma teologjike, këto prodhime përbëjnë hapat e para të historiografisë në vendin tonë, sepse një pjesë e këtyre është hartuar pa dyshim nga autorë vendas dhe i përket historisë së tokave shqiptare. Shkëputjen nga ndikimi kishtar dhe kalimi në historiografinë laike, këtë hap në historinë e kulturës shqiptare, e bënë humanistët shqiptarë në fund të shek. XV e në fillim të shek. XVI, por tanimë në kushtet e pushtimit osman të vendit, jashtë Shqipërisë.

Nën ndikimin mbizotërues të kishës lindore dhe të asaj romane, gjuha kishtare shërbeu edhe si gjuhë shkrimi për administratën shtetërore. E tillë ishte, sipas rrethanave politike, greqishtja dhe latinishtja dhe në një masë më të vogël, me vendosjen e sundimit serb edhe sllavishtja. Si gjuhë shkrimi këto u përdorën edhe nga paria sunduese shqiptare, në veprimtarinë shtetërore. Disa nga sundimtarët shqiptarë, si Muzakajt, përdorin në korrespondencën e tyre greqishten, kurse Balshajt latinishten dhe sllavishten, të tjerë si Karl Topia dhe Kastriotët i përdorën të tria këto gjuhë. Dëshmi për këtë janë mbishkrimet e rëndësishme të vendosura më 1383 prej Karl Topisë në manastirin e Shën Gjonit pranë Elbasanit.

Këto gjuhë mësoheshin në shkollat që vepronin gjithmonë nën mbikëqyrjen e kishës. Në shkollat pranë manastireve, mësimi jepej në fillim në formë individuale vetëm me lexim e me këngë kishtare, kurse më vonë jepej me forma më të organizuara duke përfshirë një rreth më të gjerë lëndësh. Në të tilla shkolla që i hasim edhe në qytetet pranë kurjeve peshkopale, mësohej kursi tradicional mësimor që jepej edhe në shkollat e vendeve perëndimore. Ai përbëhej nga cikli i ulët që përfshinte lëndët letrare (gramatikë, retorikë, didaktikë) dhe cikli i lartë me lëndë shkencore (aritmetikë, gjeometri, astronomi e muzikë). Për mësimin e këtyre lëndëve pajtoheshin me kontratë klerikë të ditur. Të tillë mësues shqiptarë vepruan edhe në një varg qytetesh dalmatine ku ishin pajtuar me shërbim si specialistë të njohur. Me zhvillimin e qyteteve, shkollat pranë nxënësve klerikë filluan t`i frekuentonin aty-këtu edhe nxënës nga shtresat e larta tregtare dhe zejtare të qyteteve.

Themelimi i shkollave në trojet shqiptare gjatë mesjetës u bë me nismën e urdhrave kishtarë, sidomos të urdhrit dominikan, si dhe të administratës komunale e princërore të qyteteve të njohura. Një aktivitet i këtillë filloi së pari në Ulqin rreth vitit 1258, në Kotorr më 1266, në Durrës më 1278, në Shkodër më 1345 dhe në Tivar nga gjysma e dytë e shek. XIV.

Gjuha shqipe, si gjuhë e shkruar, në këtë kohë ende nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë shkrimit greqisht, latinisht dhe sllavisht, gjuhë kishtare me rëndësi, të cilat për më tepër kishin mbështetjen e institucioneve kishtare dhe të administratës shtetërore. Ajo shërbente si gjuhë e komunikimit të përditshëm si për shtresat popullore, ashtu dhe për fisnikërinë e klerin vendas. Kështu, në shek. XIV shqipja përdorej në administratën e bashkësisë qytetare të Ulqinit, ku në mbledhje të Këshillit të Madh ajo ishte gjuha e shërbimit.
she, ndërtimet e kultit të krishterë përbëheshin nga godina të mëdha, të tipit bazilikal ose me planimetri qendrore, prej të cilave mbizotëronte tipi i parë. Këto ndërtime ndoqën në vija të përgjithshme skemat arkitekturale të shekujve të fundit të arkitekturës romake.

Mjaft monumente kulti të kësaj periudhe janë nxjerrë në dritë nga gërmimet arkeologjike në Ohër, Amantia, Bylis, Butrint, Elbasan, Lin (Pogradec), Tiranë, Paleokastër (Gjirokastër), Tushemisht (Pogradec), Polenë (Korçë), Karbunarë (Vlorë), Pluk (Fier) etj. Deri tani janë zbuluar gjurmët e rreth 30 bazilikave, dyshemetë e të cilave në pjesën më të madhe kanë qenë shtruar me mozaikë. Vetëm në qytetin antik të Bylisit, brenda mureve rrethuese të ngritura nga Justiniani I, janë zbuluar pesë bazilika të mëdha.

Numri i madh i këtyre monumenteve, cilësia artistike e realizimit të tyre si dhe përmasat shpesh gjigante tregojnë se në trevat iliro-shqiptare, arkitektura kishtare, veçanërisht në shek. VI, kishte marrë një zhvillim të madh.

Bazilikat ishin ndërtime që kishin një shtrirje të theksuar gjatësore. Ato ndaheshin në tri hapësira kryesore (nefe) nëpërmjet një sistemi arkadash mbi pilastra apo mbi kolona dhe mbuloheshin me çati mbi kapriata druri (varianti helenistik) ose me qemere (varianti oriental).

Në anën lindore ndodhej absida ku vendosej altari, ndërsa hyrja kryesore ndodhej nga perëndimi dhe paraprihej zakonisht nga një parasallë (narteksi). Në bazilikat e mëdha kishte dhe një oborr të hapur me kolona (atrium) si dhe ambiente të tjera ndihmëse (Bazilika e Arapajt-Durrës).

Më të rralla janë ndërtesat e kultit me planimetri qendrore. Karakteristikë e tyre është ndërtimi rreth një ambienti kryesor, që ndodhet në qendër të ndërtesës. Ndryshe nga bazilikat, në këto ndërtime mbizotëron boshti vertikal kundrejt atij gjatësor. Këto ndërtesa që mbuloheshin në të shumtën e rasteve me kupolë, përbëjnë veçoritë themelore të arkitekturës bizantine në shekujt në vazhdim. Në vendin tonë deri tani janë zbuluar dy ndërtime të mirëfillta me planimetri qendrore: kisha e Linit (Pogradec) dhe Baptisteri i Butrintit, të cilat shquhen dhe për vlerat e mëdha artistike të mozaikëve të dyshemesë.

Gjatë shekujve të parë të mesjetës, që u karakterizuan nga pushtimet avaro-sllave, të cilat sollën si pasojë shkatërrimin e shumë qyteteve dhe kështjellave si dhe shndërrime të mëdha etnike në Ballkan, vihet re një rënie ekonomike dhe për pasojë edhe rënie në fushën e ndërtimeve civile apo të kultit. Në ndonjë rast shpenzimet kalojnë në favor të fortifikimeve, si në Butrint ku një pallat peshkopal mbeti i papërfunduar, ndërkohë që rindërtohet një mur mbrojtës në shek. VII. Gjurmë të tjera ndërtimesh mbrojtëse të mesjetës së hershme hetohen gjithashtu në kështjellën e Lezhës dhe të Pogradecit. Për dy shekuj vazhduan të përdoren të njëjtat monumente kulti në zonat që i qëndruan pushtimeve sllave. Riparimet apo rindërtimet janë realizuar me një teknikë të varfër, që tregon për vështirësitë ekonomike të kohës. Bazilika e madhe e Butrintit e ndërtuar në shek. VI rindërtohet në shek. IX. Gjithashtu, në shek. XI vazhdon të përdoret bazilika e Ballshit, ku mbreti Boris i bullgarëve, në vitin 865, kthehet në fenë e krishterë.

Gjatë shek. X vërehet në përgjithësi një rritje e nivelit të ndërtimeve. Kriza që u shkaktua nga inkursionet arabe në detin e Jonit dhe shfaqja e frankëve në kufijtë perëndimorë rriti rolin e Temës së Durrësit në fortifikimin e qyteteve bregdetare të Shqipërisë. Mure mbrojtëse të kësaj periudhe, të pajisura me kulla trekëndëshe dhe kontraforta, hetohen në Kaninë dhe Butrint. Në shek. X u fortifikuan gjithashtu një radhë qytetesh rreth Shkodrës, si Sarda (Shurdhahu), Drishti (Drivast) dhe Deja. Në fushën e ndërtimeve të kultit vazhdimi i traditës bazilikale hetohet në kishën e Shën Kollit në Perondi të Beratit, si dhe në bazilikën nën xhaminë e Fatihut në Durrës. Arkitektura e kultit arrin kulmin me kishën e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit të Gjirokastrës e tipit kryq i brendashkruar me kupolë. Kjo kishë e ndikuar nga arkitektura kryeqytetase shquhet për ngritjen e saj vertikale (lartësia 17 m), për tamburin masiv mbi të cilin mbështetet kupola, si dhe për dekoracionin e pasur me tulla.

Këto elemente si dhe konceptimi i hapësirës së brendshme krijojnë ndjenjën e madhështisë. Arkitektura kishtare bizantine gjatë shekujve X-XV në Shqipëri dallohet për shumëllojshmërinë e tipave arkitektonikë duke filluar nga kishat njënefëshe, bazilikat, tipat në formë kryqi me kupolë si dhe nga tipa të tjerë ndonjëherë unikalë.

Përveç këtyre monumenteve për vlerat e tyre të veçanta arkitektonike shquhen edhe objekte të tjera të stilit bizantin, që u përkasin shekujve XIII-XIV, si: kisha e Ristozit në Mborje të Korçës, manastiri i Apolonisë, kishat bizantine të Beratit (Shën Mëria Vllaherna, Shën Triadha, Shën Mëhilli i ndërtuar në shkëmb), manastiri i Mesopotamit (Sarandë), ai i Zvernecit, kishat në fshatin Perondi të Beratit, në Kurjan të Fierit, ajo e Marmirojt në Orik të Vlorës, e Labovës në rrethin e Gjirokastrës etj. Vlera të veçanta artistike paraqet kisha e manastirit të Pojanit, e ndërtuar në shek. XIII nga perandori bizantin Androniku II. Shtyllat në oborrin e saj përbëjnë elementë të huaj që nuk gjenden në asnjë ndërtesë tjetër të këtij stili dhe që janë dëshmi e stilit romanik të përhapur në viset Veriore të Shqipërisë dhe në ato Perëndimore të bregdetit ballkanik.

Në Shqipërinë Qendrore, por më tepër në atë të Epërme lulëzoi në mesjetë edhe arkitektura romaniko-gotike, kjo sepse krahinat veriore mbetën të lidhura më shumë me kishën perëndimore, ndërsa në Durrës dhe krahinat rreth tij vepronin të dyja kishat, por kishte përparësi kisha lindore. Në kushte të tilla përveç tipave arkitektonikë të pastër kemi dhe ndikime të ndërsjellta të arkitekturës bizantine dhe asaj perëndimore. Ndikimet e arkitekturës perëndimore vërehen dhe në ato krahina ku për periudha të shkurtra erdhën sundimtarë perëndimorë.

Shembujt më të shquar nga arkitektura romaniko-gotike datohen në shek. XII-XIII. Kishat e këtij tipi në Shqipërinë e Epërme dhe Qendrore karakterizohen nga planimetritë kryesisht njënefëshe me theksim të boshtit gjatësor perëndim-lindje me absida rrethore ose drejtkëndëshe, nga përdorimi i frantonive në anët më të ngushta, nga çatitë mbi kapriata druri me rrathë mbi qemere cilindrike, si dhe nga prania e këmbanave.

Prej tyre dalloheshin për trajtimin e tyre arkitektonik monumental dhe për kërkesat artistike, kisha e Shën Serxhit dhe e Bakut pranë fshatit Shirgj të rrethit të Shkodrës, kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, kisha e Rubikut etj., prej të cilave dy të parat ndërtuar në shek. XIII mbi bazën e ndërtimeve më të hershme, ndërsa e fundit në shek. XII. Pjesa më e madhe e këtyre kishave ka qenë zbukuruar me piktura murale.

Elemente arkitektonike karakteristike romaniko-gotike ishin të përhapura prej bregdetit të Shqipërisë së Epërme deri në Kosovë, ku kjo arkitekturë pati një lulëzim të veçantë në ndërtimet e kultit në shek. XIV, siç është kisha e manastirit të Deçanit pranë Pejës.

Banesat mesjetare i njohim më tepër nga të dhënat burimore. Ato ndërtoheshin me gurë, dru apo të ndërthurura. اatitë mbuloheshim me furde ose me kashtë. Tjegullat përdoreshin në godinat e kultit dhe në ato të shtresave të pasura. Banesat e Shurdhahut (Sarda) të datuara në shek. XI, janë përgjithësisht dykthinëshe, si dhe të tilla me një ambient qendror midis tyre. Shtrimi i dyshemeve me pllaka guri tregon se ato duhet të kenë qenë njëkatëshe.

Gjatë shekujve XIII-XIV morën gjithashtu një zhvillim të dukshëm ndërtimet mbrojtëse, zgjerohen dhe rindërtohen muret e qyteteve dhe në disa raste rrethohen me mure edhe lagjet e jashtme (varoshet). Në këtë veprimtari u dalluan despotët e Epirit dhe më vonë fisnikët shqiptarë, si Topiajt, Balshajt, Muzakajt etj. Kështu Topiajve me qendër në Krujë dhe Pertelë u atribuohet nga Barleci ndërtimi i kështjellës së Petrelës, ndërsa Balshajve kështjella e Shkodrës. Rreth mesit të shek. XIV Karl Topia rindërton kështjellën e Krujës, ndërsa në vitin 1389 Muzakët ndërtuan Kullën e Pirgut në derdhje të Semanit.

Monumentet kryesore të arkitekturës civile në Shqipëri janë kështjellat. Tipa më interesantë paraqesin kështjellat e Beratit, Shkodrës, Lezhës, Shurdhahut, Krujës, Rodonit, Petrelës, Kaninës etj. Për një pjesë të mirë ato janë ndërtuar mbi themelet e kohës antike të herët ose të vonët, por janë rindërtuar gjatë shekujve të mesjetës. Kështjellat kryesore të vendit në gjendjen e tyre të sotme në themel u përkasin shek. XII-XV.

Mjaft kështjella dhe qytete të fortifikuara të vendit tonë ruajnë edhe sot tiparet arkitektonike të shek. XIII-XIV, kur ato u ndërtuan apo patën periudhën e lulëzimit më të madh gjatë mesjetës. Shembulli më tipik është kështjella e Beratit, muret e sotme të së cilës janë rindërtuar në fillim të shek. XIII prej despotit Mihail Engjëll Komneni, monogrami i të cilit qëndron mbi portën e parë të hyrjes. Muret rrethuese që ndjekin konturin e terrenit kanë një gjatësi prej 1 400 m dhe përforcohen nga 24 kulla me forma planimetrike dhe përmasa të ndryshme. Në pjesën më të mbrojtur të platformës së kodrës ndodhet kështjella e përforcuar nga pesë kulla. Vetë kështjella përmban edhe një ndarje tjetër më të vogël, të përforcuar me dy kulla që shohin nga oborri i kështjellës. Kjo ndarje shërbente si vend i qëndresës së fundit, por më tepër për të veçuar selinë e fortifikuar të sundimtarit nga garnizoni. Kështjella ka një hyrje kryesore nga veriu, e cila mbrohet nga një barbakan. Përveç ndërtimeve të mësipërme, në shpatin jugor të kodrës zbritnin dy mure nga qyteti deri në lumë, duke përfshirë brenda tyre një sipërfaqe prej 6 ha nga 16 ha që zë krejt sistemi i fortifikimit të Beratit.

Brenda mureve të kështjellës ndodhej bërthama kryesore dhe më e vjetër e qytetit. Edhe sot në kështjellë ndodhet një lagje e tërë me emrin “Kala”, më e vjetra e qytetit të Beratit. Duke u zgjeruar, qytetet mesjetare dolën jashtë mureve të kështjellës, ku u formuan te këmbët e saj lagje të jashtme, “varoshet”, të fortifikuar me mure shumë të dobëta. Nganjëherë varoshi lidhej me mure me kështjellën, siç ndodhte në Lezhë, në Drisht e në vende të tjera.

Një nga fortifikimet që ka marrë trajtën themelore gjatë shek. XIII-XIV është kështjella e Shkodrës, e cila me gjithë ndërtimet dhe rindërtimet që ka njohur gjatë sundimit osman, ruan strukturën e saj të brendshme dhe të jashtme që ka pasur në ata shekuj. Sipërfaqja e brendshme e kështjellës, ndahet nëpërmjet muresh në tri oborre që komunikojnë me porta midis tyre. Oborri i tretë që zë një sipërfaqe më të vogël nga të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë e të mbrojtur të kodrës dhe luante rolin e një kështjelle.

Gjatë shekujve XIII-XIV vihet re rritja e lartësisë së mureve dhe sidomos të kullave. Këtë e tregojnë sidomos kullat e kështjellës së Beratit. Deri në shfaqjen e armës së artilerisë ato duhet të ishin sa më të larta, për të vështirësuar ngjitjen në to me shkallë, dhe me mure të fuqishme për t’u rezistuar makinave gurëhedhëse. Kullat ndaheshin në disa kate me dysheme druri ose me qemere. Zakonisht kati i sipërm mbulohej me qemer, mbi të cilin krijohej një platformë e rrethuar me bedena. Përveç kullave të zakonshme në kështjella ndërtoheshin dhe kryekulla (donzhone), që mund të ishin të shkëputura nga muret rrethuese dhe të zinin një vend qendror në kështjellë, mund të ishin të lidhura me muret apo krejt të veçuara. Kryekulla ishte pjesa e fortifikuar më me kujdes e një kështjelle dhe ishte e aftë t’i qëndronte një rrethimi të gjatë. Ato i hasim kryesisht gjatë periudhës së Despotatit të Epirit, si në Durrës, Butrint etj.

Gjatë shek. XIII-XIV u ndërtuan edhe kështjella më të vogla. Të tilla ishin kështjellat në grykat e disa lumenjve që mbronin skelat tregtare, si kështjella e Pirgut në grykën e Semanit, e Bregut në atë të Shkumbinit, e Rodonit në grykën e Ishmit etj. Nga këto ruhet ende sot në gjendje të mirë kështjella e Bregut. Planimetria e saj është katërkëndëshe, me nga një kullë të rrumbullakët në të katër skajet. Muret e trasha kanë përsipër bedena dhe, sikurse kullat, janë pajisur me frëngji për t`u përdorur për mbrojtjen. Brenda mureve ndodheshin ndërtesa banimi, depo ushqimesh etj.

Një tjetër tip kështjellash qenë ato që u ndërtuan në formë kullash në viset malore nga feudalë shqiptarë. Zakonisht të ndërtuara në vende strategjike, nga ana arkitektonike ato ishin të thjeshta. Gjurmët e disa prej tyre duken edhe sot në Guribardhë (Mat), në Kalanë e Lekës (Va-Spas), në kullën e Turanit (Korçë) etj.

Shek. XV shënon një epokë të re në zhvillimin e fortifikimeve, e cila lidhet me periudhën e përdorimit të armës së artilerisë dhe të përsosjes së saj. Në territorin e Shqipërisë fillojnë të gjejnë zbatim parimet moderne të fortifikimit, siç janë kullat për artileri që u quajtën “Rondelo”, të ulëta dhe me mure të fuqishme, të barabarta me lartësinë e kullave, hendeqet e fortifikuara etj. Kjo ndodhte në një kohë kur në disa vende të Evropës Perëndimore vazhdonin të ndërtonin gjithnjë e më tepër në lartësi për të vendosur sa më lart artilerinë mbrojtëse. Frymëzimet, më tepër teorike se praktike vinin nga Gadishulli Apenin. Në këtë fushë konkurruan Skënderbeu, venecianët dhe turqit, prej të cilëve këta të fundit nuk patën zhvillime të shënueshme të teorive moderne të fortifikimit në territorin e Shqipërisë. Ndërmjet shumë fortifikimeve të realizuara në këtë periudhë, përmenden fortifikimi në Kepin e Rodonit, të cilin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e ndërtoi në vitin 1463 dhe kulla për artileri në kështjellën e Durrësit etj.


[redaktoni] Artet figurative. Piktura mesjetare
Krahas degëve të tjera të kulturës, në mesjetë morën zhvillim edhe artet figurative. Skulptura si gjini kryesore e arteve figurative, ashtu si në vendet e tjera të Europës Juglindore edhe në tokat shqiptare pati një zhvillim të kufizuar, qoftë për numrin, qoftë për vendin që zinin prodhimet e saj. Skulptura nuk mori këtu funksion të pavarur. Ajo i shërbeu si element dekorativ arkitekturës, në formë elementesh zbukuruese të lidhura me ballina ndërtesash, me porta e dritare, shtylla e gurë varresh. Edhe atje ku gjenden dekoracione plastike mjaft të zhvilluara, si në kishën e Mesopotamit pranë Sarandës, në kishën e manastirin e Deçanit, ato nuk dalin nga karakteri i një relievi të vendosur në muret e jashtme dhe nuk mund të qëndrojnë më vete. Po kështu kishte funksion ndihmës edhe skalitja e drurit, e argjendit etj.

Por në skulpturën ornamentale dhe në elementet e saj zbukuruese gjetën shprehje më shumë se në gjinitë e tjera të artit mesjetar elementet e artit popullor, që zhvillonin traditat e vjetra të njohura nga veshjet, nga shkorsat dhe nga qeramikat popullore. Këto ornamente ishin zbatuar në mënyrë më të përsosur e më të ndërlikuar, në materiale më të kushtueshme, si në orendi kishtare, potire, kapakë ungjijsh, në arka druri, në veshje të kushtueshme dinjitarësh, kishtarë e laikë etj. Këto janë pajisur me zbukurime të pasura në formë lulesh, nganjëherë edhe kafshësh e shumë më pak njerëzish.

Zhvillim të madh si gjini e pavarur e artit mesjetar morën artet figurative e sidomos piktura që pati një përhapje më të gjerë. Por pjesa më e madhe e krijimtarisë artistike të mesjetës së hershme e të vonë, si ajo e mozaikëve, e miniaturës së dorëshkrimeve, ikonostasëve, ikonave, afreskeve dhe skulpturave, për shkak të rrethanave tepër të vështira që kaloi Shqipëria, të luftërave e pushtimeve të shumta, nuk ka mundur të arrijë deri në kohën tonë.

Piktura si gjini u nxit nga kisha e krishterë sidomos nëpërmjet veprave ikonografike. Krijuesit e pikturës mesjetare ishin në përgjithësi klerikë e murgj, që kishin punishtet e tyre pranë manastireve ose kishave. Por edhe kur ishin laikë, ata ishin lidhur pas kishës si porositës kryesorë. Nuk njihen emra piktorësh deri në shek. XV, sepse ata zakonisht nuk e vinin emrin në veprat e veta. Nën udhëheqjen e piktorit mjeshtër punonin disa ndihmës ose nxënës, të cilët merrnin pjesë në pikturimin e veprës, duke plotësuar hollësitë e dorës së dytë.

Gjini kryesore të pikturës mesjetare ishin në shekujt e parë mozaikët. Më vonë zhvillohet gjerësisht piktura monumentale murale (afresket), si dhe piktura në tablo, ikonat.

Teknika e mozaikut në vendin tonë ishte trashëguar që në kohën antike. Shek. IV-VII paraqiten me disa vepra të rëndësishme, si Bazilika e Ohrit, Bazilika e Linit (Pogradec), Bazilika e Arapajt (Durrës), Bazilika e Bylisit (Ballsh), mozaiku i Baptiserit të Butrintit etj. Piktura e mozaikëve paraqiste tematikën e zakonshme kishtare e bashkë me të edhe figura perandorësh, princash etj., me familjet e tyre si ktitorë të kishave. Një vepër e bukur është ruajtur në mozaikun mural të gjetur në kishën e amfiteatrit të Durrësit. Duke shkuar përtej karakterit thjesht ornamental të mozaikëve antikë, mozaiku i Durrësit krijon komplekse skenash me figura njerëzore, me një ndërthurje të bukur gurësh prej qelqi të ngjyrosur, të përzier me copëza guri natyror e tulla. Figurat njerëzore janë veshur me petka të kushtueshme të ngrira pa respektuar format reale të trupit, kurse fytyrat e njerëzve ruajnë karakterin individual. Mozaikët e Durrësit përfaqësojnë veprat më të hershme mesjetare të njohura në vendin tonë që trajtojnë figurën njerëzore, qofshin këta shenjtorë abstraktë ose njerëz realë.

Po nga fusha e mozaikut janë ato të periudhës së shek. VI-VII, si mozaikët e manastirit të Shën Nikollës në Mesopotam të Delvinës etj. Janë miniaturat, dorëshkrimet fetare, të cilat i gjejmë në kodikët si ai i shek. VI, të njohur me emrin “Kodiku i Purpurt i Beratit”. Këto dorëshkrime janë të ilustruara me figura të vizatuara e të pikturuara si Evangjelistë që shkruajnë ungjillin, me ornamente të ndërthurura me shpendë dhe dekore lulëzore etj. Ato janë të realizuara nga piktorë profesionistë të asaj kohe d.m.th. nga ikonografë dhe shquhen për kaligrafi të përkryer me shumë hijeshi dhe me ngjyra të kultivuara. Miniatura e dorëshkrimeve mesjetare shihet më e përpunuar nga fundi i shek. XI ose në fillim të shek. XII me miniaturën e kodikëve të Vlorës, ku bie në sy një sintetizim i elementeve të stilit bizantin që sapo kishte arritur formimin e tij të plotë me ato të traditës së artit antik. Po në këtë kohë zhvillohen gjini të tjera në artet figurative me pikturën në teknikën e afreskut. Në shpellën eremite të Bllashtojës si dhe në atë të liqenit të Prespës, të cilat ndodhen larg qendrave të banuara, por në vende shumë të bukura, gjenden piktura murale në teknikën e afreskut dhe që kanë interes për origjinalitetin ikonografik me paraqitjen e shumë skenave të pazakonshme për Bizantin dhe me një stil të lartë e të pastër bizantin. Po kështu në këto shpella janë gjetur ikona me vlerë që i takojnë po këtij shekulli, si ajo e Shën Mërisë me Krishtin dhe dyert e bukura të Bllashtojës (Prespë-Korçë), ku skena e ungjillëzimit është e realizuar vetëm me paraqitjen e figurës së Gabrielit përballë Shën Mërisë duke mënjanuar çdo gjë përreth. Një fragment afresku që i përket shek. XII, në të cilin paraqitet martiri Eufemi, të hasur shumë rrallë në ikonografinë tonë, ruhet mbi një shkëmb të fshatit Kallmet pranë Lezhës.

Realizimi i miniaturës së nivelit të lartë në Shqipëri, përkon në kohë edhe me zhvillimin e pikturës monumentale të shek. XII, si të Rubikut dhe me atë të Shën Marisë së Cerkës (Leskovik), si dhe me afresket e kishës së Marmirojt në Orikum të Vlorës. Piktura murale u zhvillua në lidhje të ngushtë me destinacionin e saj si pjesë përbërëse e monumenteve arkitektonike. Fillimet e saj hetohen qysh nga shek. IX-X, ajo zhvillohet me ritme më të shpejta në shek. XIII-XIV. Zhvillimi ekonomik e politik i vendit krijoi rrethana më të përshtatshme për një zhvillim më intensiv të këtij arti. Duke u larguar nga tiparet universale karakteristike për stilin bizantin në përgjithësi, tani fillojnë të krijohen veçori dalluese me ngjyrë vendase.

Ndër veprat e shumta të krijuara nga gjysma e dytë e shek. XIII dallohen veçanërisht afresket e kishës së Rubikut, ato të manastirit të Pojanit, të kishës së Shën Triadhës në Berat, të Maligradit në liqenin e Prespës, të kishës së Mborjes etj. Si punë të kualifikuara shumica prej tyre qëndrojnë në nivelin e monumenteve më me rëndësi të vendeve fqinje, duke dëshmuar për një shkallë zhvillimi të barabartë.

Në afresket e kishës së Rubikut që mbajnë datën 1272 bie në sy në mënyrë të veçantë skena e kungimit të apostujve. Ndërmjet shenjtorëve tradicionalë, të paraqitur këtu, për herë të parë është përfshirë edhe figura e një shenjti vendas, Shën Asti. Në pikturën e Rubikut, ndonëse në një formë ende jo plotësisht të përcaktuar, kanë gjetur fillimin e tyre disa tipare që dëshmojnë një orientim deri-diku drejt traditës antike.

Kjo prirje, duke u zhvilluar më tej, u dha monumenteve tipare të veçanta që dallohen prej monumenteve bashkëkohëse të Ballkanit. Këtë orientim e gjejmë të dokumentuar sidomos në afresket e trapezarisë së manastirit të Pojanit.

Elemente laike dhe më realiste shfaqen në pikturën mesjetare veçanërisht në paraqitjet e portreteve të ktitorëve në fasadat e faltoreve, siç i ndeshim në Pojan e në Maligrad. Në hajatin e kishës së Pojanit (Apolonisë) gjejmë portretin familjar të perandorit Andronik. Ai paraqitet në qetësi të plotë, me fytyrë energjike dhe të pushtetshme. Rreth kokës së tij vërehet një brerore me ngjyrë të artë për t`i dhënë figurës së tij karakter hyjnor. Një vlerë të madhe kanë edhe afresket e kishës së Maligradit, ku në anën e jashtme të portës është paraqitur Qezar Novaku, fisnik i kësaj krahine, bashkë me familjen e tij. Si princi, ashtu edhe e shoqja dhe të bijtë janë veshur me stoli princore; sakoja e Qezarit është e stolisur me zhgaba dykrenare të përfshira brenda medalioneve.

Në shek. XIII - XIV në vendin tonë u krijuan vepra të shumta artistike, si ato të kishës së manastirit të Apolonisë (Fier) 1260-1328, ku pranë apsidës është pikturuar portreti i perandor Mihal Paleologut, të mbiquajtur Konstandini i Ri, si çlirimtar i Konstandinopojës nga latinët. Ai është paraqitur, së bashku me familjen e tij, me fytyrë energjike, e i pushtetshëm. Po të kësaj periudhe ishin afresket e kishës së Vaut të Dejës, ndërtesë e stilit romanik (të shkatërruara në vitet 60 të shek. XX).

Një përhapje shumë të gjerë pati edhe piktura e tablove, ikonografia. Shumica e ikonave ruajnë vlera artistike. Midis tyre ka edhe ikona të trajtuara në mënyrë më të gjerë në formë monumentale, por përgjithësisht ato japin skena të kufizuara nga ana tematike, shpeshherë i janë kushtuar vetëm paraqitjes së një shenjti. Ikonat janë pikturuar drejtpërsëdrejti në dërrasë ose në pëlhura të ngjitura në dërrasë.

Ikonat e pikturuara në dru në shek. XII, tre shekuj para pushtimit osman, që kanë mundur të ruhen deri më sot janë të pakta. Në këto ikona pasqyrohet stili i pastër bizantin, ku figurat pothuajse janë me qëndrim ballor dhe monumental, me lëvizje të kursyera dhe me stolisje në veshje. Ikona më të bukura të kësaj periudhe janë Shën Maria me Krishtin e tipit Odigitria, që do të thotë se Maria parandien dhe parashikon atë që do t`i ndodhë birit të saj, si dhe ikonat Dyert e Bukura që janë gjetur në kishën e Bllashtojës (Prespë-Korçë). Skena e ungjillëzimit te dyert e bukura është paraqitur tepër e thjeshtë, Shën Gabrieli në njërën dorë dhe në tjetrën Shën Maria. Këtu përveç dy figurave përballë njëra-tjetrës nuk është pikturuar gjë tjetër.

Lulëzimi dhe zhvillimi i Konstandinopojës në gjysmën e dytë të shek. XIII dhe gjatë shek. XIV pati një ndikim të thellë në ikonografinë në përgjithësi dhe në monumentet e kulturës shqiptare. Veprat që u realizuan në këtë periudhë, karakterizohen nga një kanun i rreptë i stilit bizantin të shkollës së Konstandinopojës, si dhe ai i Shkollës së Ohrit. Arti i Bizantit gjatë kohës së Komnenëve, por sidomos ai i kohës së Paleologëve, filloi të marrë tiparet e një arti të konsoliduar të një rryme artistike përparimtare që u quajt “Rilindja e artit Bizantin”.

Kjo rrymë përkon në Shqipëri me zhvillimin e fuqisë ekonomiko-shoqërore të vendit, me fuqizimin e aristokracisë shqiptare, me rritjen e fuqizimin e qyteteve dhe me krijimin e principatave shqiptare. Kjo i dha dorë ndërtimit të shumë kishave të zbukuruara me afreske dhe ikona.

Një vepër me vlera historike dhe artistike e shek. XIV është Epitafi i Glavinicës (manastiri i Shën Marisë në Ballsh), realizuar më 1373 prej qëndistarit Gjergj Arianitit. Aty është dhënë figura e Krishtit të shtrirë (të vdekur) që është qëndisur e tëra me ar dhe ka përmasat 1m dhe 70 cm.

Ikonat që u përkasin shekujve XIII-XIV janë më të shumta, si ajo e tre Jerarkëve e kishës së Shën Vlashit në Vlorë etj. Një prej përfaqësuesve të kësaj epoke është ikona me përmasa të mëdha, ajo e Shën Mëhillit. Mendohet të jetë bërë në një nga atelietë e rrethit të Korçës. Kritikë të huaj të artit bizantin e kanë quajtur “Xhokonda shqiptare”. Kjo ikonë evokon traditën e pasur të shkollës së Ohrit. Engjëlli Mihali kompozuar në plan ballor e monumental është i veshur me atributet e strategut të forcës qiellore dhe mban në njërën dorë globin e kristaltë, imazhin e Kozmosit, shënuar nga monogrami i Krishtit dhe i kryqit ortodoks.

Pikturimi i kësaj ikone lidhet dhe ngjason shumë me afresket e kishës së Shën Marisë (Ristozi) në fshatin Mborje të Korçës, pikturuar më 1390 nga piktorë anonimë, si dhe me afresket e kishës së Shën Marisë në shpellën e liqenit të Prespës pikturuar më 1369. Mundet që një atelje e shquar të ketë pikturuar shumë ikona dhe afreske në këto zona të Shqipërisë Juglindore, si dhe në Maqedoni, Serbi dhe në Greqinë e veriut.

Veprat e kësaj periudhe, duke përfshirë dhe ato të kishës së Trapezarisë (Apoloni) si dhe atë të Shën Triadhës në kështjellën e Beratit, dëshmojnë për konsolidimin e një arti në këto zona, i cili do të luajë një rol të rëndësishëm për piktorët e shek. XVI. Kultura e Bizantit qe burim kryesor për artin e krejt botës së krishterë të Lindjes. Por krahas ndikimit të tij, gjendet kudo edhe kultura vendase ku artistët e ndërthurën mirë artin bizantin me atë lokal. Si rezultat qe formimi i shkollave, secila prej tyre kishte traditat e saj specifikike e lokale, ndërsa të gjitha ishin të lidhura ndërmjet tyre me këtë tërësi bizantine.

Në shek. XV Shqipëria pushtohet nga osmanët pas betejash të njëpasnjëshme. Prandaj nga ky shekull nuk ruhet asnjë dokument ikonografik.

Rënia e Konstandinopojës dhe dobësimi i lidhjeve me këtë qendër, bënë që arti ikonografik, krahas lidhjeve të vjetra, të hyjë në një fazë të re, ku filluan të krijoheshin hapësira të mëdha drejt novatorizmit të ikonografisë kishtare deri në krijimin e shkollave dhe të individualiteteve. Krahas rënies së përgjithshme ekonomike bie influenca e fuqishme e Bizantit dhe, nga ana tjetër, rritet ndikimi i vendeve perëndimore. Si rrjedhim, arti ikonografik i mesjetës në vendet e Bizantit, si Greqia, Bullgaria, Rumania, Serbia e Shqipëria, dalëngadalë zhvillohet tani në formën e një arti pasbizantin në këto vende. Veprat e artit pasurohen me elemente kombëtare të shoqëruara me elemente etnografike popullore, si veshjet në pasqyrimin e tipave krahinorë si dhe në pasqyrimin e figurave të ktitorëve (dhuruesve të kishës) me tipare realiste dhe origjinale. Por megjithatë kjo veprimtari ikonografike vazhdoi të ishte e lidhur me traditën e vjetër bizantine dhe të Ohrit, si edhe me artin e Rilindjes Evropiane të asaj kohe, veçanërisht me atë të Venedikut dhe të ishujve të Mesdheut: Korfuzi, Kreta etj.
Pergatiti Adm Perondi Albania Erion Sherifi 2020

Commenti

Post popolari in questo blog

Legjenda e Henes se Plote

Kucova

Sekretet e Baba Tomorrit