Pranga angleze dy vrasësve shqiptarë
Pranga angleze dy vrasësve shqiptarë
Sinani dhe Kallmi: Mos na ekstradoni
Që prej një viti kur u arrestuan në Londër Afrim Sinani dhe Edmond Kallmi kanë marrë pjesë në seancë gjyqësore maratonë ku përmes avokatëve po mundohen t‘i mbushin mendjen gjykatës për mos t‘i ekstraduar. Sipas avokatëve nëse ata ekstradohen nuk do t‘u zhvillohet një proces gjyqësor i ndershëm. Po më të njëjtin justifikim pesë vjet më parë Fatmir Bleta i dënuar për vrasje i shpëtoi ekstradimit. E njëjta histori u përsërit disa muaj më parë me vrasësin e dyfishtë Ymer Hoxha nga fshati Shëmrie i Kukësit. Afrim Sinani 32 vjeç është prangosur nga policia londineze, pas dhjetë vitesh në kërkim, ku fshihej me një emër të rremë. Skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard e arrestoi atë pasi ishte dënuar me 20 vjet burg për vrasje, nga drejtësia shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, nga Metropolitan Police (Zyra e Ekstradimeve në Londër), në zonën Ilford Essex është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, Afrim Sinani, me origjinë nga fshati Shëmri i Kukësit. Gjykata e Shkallës së Parë në Kukës, me vendim të datës 29 tetor të vitit 1996, e ka shpallur fajtor për veprat penale të vrasjes me dashje dhe të armëmbajtjes pa leje, për të cilat është dënuar me 20 vjet heqje lirie. Ndërsa Edmond Kallmi, 30 vjeç, i dyshuar si mik i ngushtë i Dritan Vilës, ka rënë në prangat e policisë angleze, pas urdhrit të arrestit nga policia shqiptare. Krimi për të cilin është arrestuar Edmond Kallmi, mësohet të ketë ndodhur më 12 shtator të vitit 1998. Edmond Kallmi dhe Dritan Vila mësohet se kanë vrarë Adriana Besin. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Perondi të Kuçovës, kur në rrethana të paqarta Dritan Vila dhe Edmond Kallmi kishin takuar vajzën dhe më pas e kishin ekzekutuar atë. Pikërisht për këtë ngjarje, sipas policisë së Qarkut të Beratit, Dritan Vila, anëtar i "Bandës së Lushnjës" dhe miku i tij, Edmond Kallmi, janë dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Beratit me nga 12 vite burg secili.
Commenti
Posta un commento