Aeroporti i Kuçovës po kthehet në një "Gërdec" me llamarina



Meteori. Këtu ndahet
kufiri midis Beratit dhe
Kuçovës. Ky toponim
simbolizon stacionin meteorologjik të dikurshëm, një nga më të rëndësishmit e vendit. Këtu, në meteor i thonë edhe "kryqëzim" se ndodhesh midis rrugës, Urë Vajgurore- Kuçovë dhe Tapi-Perondi. Dikur, në Meteor ka qenë edhe postblloku, ku s'mund të futeshe në hapësirat kuçovare pa identitet të ligjëruar. Ja, në të djathtë ndodhet aerodromi ushtarak i Kuçovës. Për të moshuarit e këtyre anëve ai mbetet vetëm nostalgji ose "krenari e humbur", siç thonë banorët e Perondisë. Ka humbur, gati për gjithmonë uturima dhe rrugët e bardha të qiellit, edhe përtej Kuçovës. Gjithashtu, në këto hapësira fushore ka humbur përgjithmonë edhe uturima e traktorëve dhe e autokombajnave bujqësore.
Tashmë, këtu jetohet qetësia e fushave dhe e qiejve...
Në reportazhin tonë s'kemi si qëllim ringjalljen e nostalgjive, por të shkruajmë "peizazhin e ditës" pa cenuar aspak edhe mendimet e lira të këtyre njerëzve. Natyrisht, demokracia ka sjellë ndryshime edhe në strukturat ushtarake kuçovare, por dhe progresizëm që i përshtatet kohës. Në të dy anët e Meteorit të Kuçovës ka shumë ndërtime të reja, deri dhe lokale e ambiente moderne. Në këto ambiente e lokale, të zgjeruara edhe në kryqëzimin e Tapisë dhe Perondisë, sheh shumë njerëz jo vetëm nga Kuçova dhe Berati. Shumë parcela fushore, rreth e qark Meteorit, që dikur mbilleshin grurë e misër, sot janë kthyer në blloqe frutorë, veçanërisht në fushat e Tapisë. Nëse dikur, rrugët e rrugicat e Tapisë dhe të Perondisë ishin vetëm "rrugë qerresh", aktualisht janë zgjeruar dhe asfaltuar me fondet e pushtetit komunar, por edhe të vetë fermerëve të këtyre fshatrave, që merren edhe me biznes. Po, si është gjendja reale e rrugës nacionale Urë Vajgurore- Kuçovë. Kjo rrugë ka mbetur vetëm me zgjerimin dhe "asfaltin" e viteve 60-të apo 70-të... Askush nuk interesohet për zgjerimin e këtij segmenti rrugor, që quhet "rruga e shtetit". Kjo rrugë "shitet" tek të gjithë, por nuk "blihet" nga askush... Nga ngushtësia dhe amortizimi i këtij segmenti rrugor, tej i "populluar" nga automjetet ndodhin shpesh edhe aksidente. Nëse shtetit do t'i shkojë në mend, zgjerimi i kësaj infrastrukture rrugore, sigurisht që do të ndodhet edhe para një problemi të madh social; shumë ndërtime janë bërë pranë kësaj rruge, sepse njerëzit, edhe në këto hapësira ecin e vendosin me "ligjin e Maliqit" dhe jo të shtetit ligjor. Anarshia urbanistike dhe ligjore kap edhe paradokse të tilla habie, Si ka mundësi, që të ndërtohen shtëpi apo lokale pranë pistës apo garazheve të avionëve ushtarakë? Mos vallë dhe aerodromi i Kuçovës po kthehet në një "gërdec" me llamarina? Dikush thotë "e kam tokën time..." Po, "kolona" më e fuqishme e atdheut ku e ka pronësinë e saj të vërtetë? Sigurisht, shteti duhet të mbrojë fuqishëm vetveten, që të jetë "zot" për çdo liri e të drejtë qytetare. Lëmë Meteorin ekzotiko- ushtarak dhe futemi në thellësi të Perondisë. Kudo shikon ndërtime të reja, disa dhe luksoze. Fushat janë të ndara parcela-parcela... Me të vërtetë një peizazh suralist. Dikur, Perondia ishte një ekonomi bujqësore me famë ballkanike për prodhimin e drithërave të bukës, kurse sot perondiasit s'i inkurajon apo t'i stimulojë shteti. Po humbet totalisht psikologjia dhe tradita e tyre në superprodhimin e drithërave të bukës. Të moshuarit e këtij fshati, që aktualisht kohën e kalojnë mbas ndonjë dele apo lope, janë më nostalgjikë për të kaluarën e tyre, pavarësisht se në "jetën kooperativiste" nuk përfituan më shumë se "buka e kallamboqit"- përshesh me sherbet sheqeri.... Perondia është një njësi banimi me histori të lashtë. Nga fundi i viteve të 1600-ës, ky fshat, bashkëngjitur me qytetin e Kuçovës kishte rreth 130 shtëpi, kurse fshati Kuçovë rreth 20 shtëpi. Sot, Perondia, për nga numri i popullsisë është gati sa qyteti i Kuçovës. Në hapësirat e Perondisë ka shumë të ardhur veçanërisht nga rrethi i Elbasanit, Gramshit, Beratit dhe Skraparit. Po si jetojnë të ardhurit e Perondisë? Na thanë se, shumë nga "jabanxhinjtë" kanë vetëm "strehë"... Mbijetesën e zgjidhin me emigracionin, apo me ndonjë "argatllëk" në Kuçovë dhe nëpër parcelat e tokave, që kanë marrë me qera tek perondiasit me pronësi toke. Na thanë gjithashtu se, shumë individë apo familje nga kjo hapësirë fushë-kodrinore, që jetonin jashtë Perondisë janë kthyer në vendlindjen e tyre. Pra, aktualisht Perondia nuk dallon aspak nga urbanizimi i një qyteti. Për një të huaj Perondia duket si pjesë e qytetit të Kuçovës. Dhe, në të vërtetë qyteti i Kuçovës me Perondinë ka një traditë të vjetër miqësie e bashkëpunimi. Dikur, shumë veprimtari artistike, kulturore e sportive zhvilloheshin të përbashkëta...
Lëmë hapësirat urbanizuese të Perondisë. Ja dhe Kuçova? Ndonëse me miqtë e mi si vizitore e thjeshtë, kam ardhur shpesh në këtë qytet, por sot vetja më duket më e përgjegjshme dhe jo pa emocione. Të shkruash apo të filmosh publicistikë reale për qytetin e bukur të Kuçovës nuk është aq e lehtë. Gjëja e parë që të bije në sy nëpër mjediset kuçovare janë rrugët e gjera dhe të pastra, ku shumë rrugë e rrugica me parametra bashkëkohore janë ndërtuar këto vitet e fundit. Kuçovarët, veçanërisht familjet autoktone, e kanë edukatë dhe pjesë shpirtërore pastërtinë, gjelbërimin dhe të bukurën e qytetit të tyre. Në një numër mjedisesh kuçovare gjen edhe lokale me shërbime të kulturuara dhe tradicionale të këtij qyteti. Ja dhe qendra e Kuçovës, ose "bulevardi i qytetit"- siç i thonë. Këtu, ka plot hapësirë e arkitekturë funksionale për një qytet si Kuçova. Rreth e qark kësaj qendre ndodhen disa institucione shtetërore dhe socialkulturore, midis të tjerave bashkia dhe kinemaja e rikonstruktuar e qytetit. Kinemaja e Kuçovës, që mban emrin e Artistit të Popullit, aktorit Kadri Roshi, është "Mileniumi" më i rëndësishëm kombëtar pas Mileniumeve kryeqytetase. Ajo është kthyer në një objekt kinematografik modern vetëm në investime private.... Këtu, kuçovarët, që dallohen edhe si "spektatorë kinemaje", nuk shikojnë vetëm filma të përzgjedhur, por pinë edhe kafe e miqësohen më tepër me njëri tjetrin, veçanërisht brezi i ri. Këtu pranë ndodhet dhe një ndërtesë me emrin "pallati" ose "shtëpia e piktorëve". Ky pallat është gati simbolik për kuçovarët, veçanërisht për ushtarakët e nderuar, që kanë punuar në këto hapësira. Këtu çlodheshin e argëtoheshin pilotët shqiptarë, të dikurshëm pas fluturimeve nëpër hapësirat e atdheut. Këtu, kanë bërë "një sy gjumë" apo shaka e instruktazhe profesionale edhe pilotët e famshëm Niko Hoxha e Fahri Bubësi. Këtu, mblidheshin të gjithë ushtarakët kuçovarë, pas stërvitjeve të gjata, duke i dhënë Kuçovës, e gjithë atdheut "krenari dhe dinjitet". Ata ushtarakë, që sot gëzojnë pension minimal e mospërfillje shtetërore. Ky qytet s'ka pasur kurrë kuptim pa naftëtarët dhe ushtarakët e tij. Kuçova. Një qytet që ka nxjerrë krijues, artistë e futbollistë të mirënjohur edhe në rrafshin kombëtar. Nga Kuçova kanë dalë edhe aktorët e mirënjohur Koço Devole dhe i ndjeri Agim Shuke, apo kompozitorët Nito Lala, Luto Hasani, Dhimitër Druga e të tjerë. Një artiste e mirënjohur po bëhet edhe këngëtarja e re, kuçovarja Greta Koçi, me zërin dhe plastikën e saj artistike, plot ngjyra e kolorit modern. Artistët kuçovarë po çajnë edhe në skenat e Evropës dhe të Amerikës, si për shembull kompozitori Valentin Veizi e të tjerë.
Qyteti i Kuçovës ka dhe publicistët e shkrimtarët e vetë, disa edhe të gjinisë femërore. Publicisti dhe studiuesi Shkëlqim Ago është një nga ata. Kuçovari në fjalë, përveç publicistikës ka botuar dhe disa libra me studime e monografi. Libri i tij më i rëndësishëm është "Kuçova enciklopedi".
Ai po përgatit librin e dytë të enciklopedisë kuçovare, që mendon ta botojë në Turqi.
Shkëlqim Ago flet me pasion për njerëzit e qytetit të tij. Historinë dhe vlerat kuçovare, ky individ publik e posedon "në majë të gishtave"- siç i thonë.
- Kuçovarët mbajnë shumë lidhje me njëri-tjetrin. Ky virtyt i dalluar kuçovari, shfaqet ndjeshëm në komunitetin e emigrantëve të kësaj hapësire - thotë Shëklqim Ago. Për shembull, në Athinë nuk gjen kuçovarë, që mos të mbajnë lidhje me njëri-tjetrin apo dhe ta ndihmojnë komunitetin emigrant të qytetit të tyre. Për këto vlera të emigrantëve kuçovarë unë kam botuar edhe një libër publicistik - vazhdon më poshtë kuçovari Shkëlqim Ago.
70- vjeçari Zenun Sina, është një tjetër krijues kuçovar. Dikur ai ka punuar specialist në stacionin metereologjik të Kuçovës. Krahas punës ai merrej edhe me publicistikë dhe humor. Autori kuçovar, në fjalë ka botuar disa libra me rrëfenja dhe tregime humoristike. Zenun Sinën e gjen gjithmonë në lëvizje...
- Është për të ardhur keq, që krijuesi dhe artistët kuçovarë dhe beratas nuk kanë një shoqatë apo organizatë të tyre - thotë ai, jo pa shqetësim. Ndahemi dhe nga Zenun Sina. Kuçova, me gjithë këto resurse të mira, prapë mbetet një qytet me probleme sociale. Kudo ka papunësi... Shumë herë edhe asistencat sociale nuk jepen të rregullta. Jo rrallë hapësirat kuçovare janë prekur edhe nga kriminaliteti, veçanërisht krimi në familje.
Në zyrat e bashkisë bisedojmë edhe me ekonomistin Bardhi Gjyzeli, punonjës në departamentin bashkiak të taksave. Rreth tre vjet më parë, ai ka qenë drejtori i uzinës mekanike të Kuçovës. Ky individ njihet dhe si dashamirës i artit dhe i kulturës.
- Ende kemi vështirësi në grumbullimin e taksave - thotë Bardhi Gjyzeli. - Kjo vjen, në radhë të parë, nga niveli i ulët ekonomik i qytetarëve kuçovarë. Por, megjithatë, pagimi i taksave në shtet po bëhet dalëngadalë, subjekt ndërgjegjësimi për shumicën e kuçovarëve. Kuçova është me shumë vlera pozitive - vazhdon më tej ky nëpunës bashkie. Largohemi nga Kuçova, qyteti i bardhësisë... Por, si "re të zeza" mbetet smogu, papunësia dhe uturima dhe anarshia e automjeteve të shumta, ende pa kontroll të rreptë ligjor. Kuçova!... Vallë, a do të mbesë përgjithmonë "xhep i harruar...!?" Kush e di...

Commenti

Post popolari in questo blog

Legjenda e Henes se Plote

Kucova

Sekretet e Baba Tomorrit